Çfarë thotë një foto
Njëra nga detyrat më të këndshme dhe më intriguese që më ka qëlluar të bëj tek peshkupaujë është ilustrimi i artikujve apo tregimeve me fotografi dhe imazhe të ndryshme, gjetja e fotove për “Vendos Diçiturën” apo Fotot e ditës. Tek Peshku jemi mbështetur fort në fotografinë si një medium përbërës të faqes, e për këtë arsye përzgjedhja e imazheve kërkon një përkushtim serioz. Disa fotografi na kënaqin syrin me elegancë, të tjera na bëjnë të ndihemi parehat me gjak dhe shkatërrim. Edhe reagimi ynë ndaj fotove të ndryshme varion gjerësisht, nga vlerësimet, tek akuzat. Por ndërsa qëllimi i fotove nuk është të na kënaqin, shpupuritja e ca puplave është herë e pashmangshme e herë e qëllimshme. Po ku qëndron çelësi i mesazhit, dhe çfarë është e rëndësishme kur zgjedh një imazh për ilustrim?
-

Vlera shokuese
United Colors of Benetton është ndoshta kompania më e suksesshme në botë kur vjen puna te përdorimi i fotografisë për të përcjellë mesazhe të forta me tematika nga çështje të nxehta. Dega e reklamës tek United Colors drejtohet nga fotografi italian Oliviero Toscani. Toscani e di mirë forcën dhe impaktin e reklamës prandaj angazhohet që me reklamat e tij të mos mundohet vetëm “të shesë lecka”, por ta përdorë këtë media të fuqishme për të thënë diçka me rëndësi. Në imazhin më lart, pa asnjë shpjegim United Colors pasqyron gradën e rëndë një konflikti në Afrikë, duke na e lënë ne të gjykojmë nëse ajo është një kockë njerëzore, e duke na bërë kështu pjesmarrës në rrëfimin e kësaj historie. Na bën kurjozë të mësojmë ç’ndodh përtej kornizës, e në këtë mënyrë na shtyn të edukohemi mbi faktet.
Ndërsa në imazhin më poshtë kompania italiane e interpretoi si me qëllim prpmovimin e “harmonisë dhe mirëkuptimit” kur u akuzua se po përqeshte vlerat fetare. E vërteta është që me zgjedhjen e imazheve kontraverciale Benetton tëreq vëmendjen si tek çështjet që pasqyron, ashtu edhe tek vetja, duke i kthyer reklamat rebele në subjekte artikujsh gazetash. Audienca së cilës i kushtohen dhe blerësit e rrobave të tyre janë të rinjtë, ndaj dhe kritikat kanë qënë shpesh të mirëpritura.

***
Fotografia në gazetari
Imazhet mund të jenë të të këndshme apo, shokuese, të qarta apo ambiguoze, ajo që kanë gjithmonë të përbashkët është që tregojnë një histori, histori e cila nga fotoja e ngrirë në kohë vijnë në lëvizje dhe plotësohen në mendjet tona.
Ndonjëherë këto foto na prekin në nervat më të ndjeshëm. Duke na përcjellë emocione aq të forta saqë e kemi të pamundur të mos reagojmë. Përcjellja e fotografive të dhimbjes, si kjo fotografi pas një tërmeti në Turqi më 1984 është njëra nga pjesët më të vështira të punës së fotografit.
Atij i duhet të jetë njeri që ta njohë ku qëndron tragjedia dhe njëherësh i kërkohet të zhvishet nga humanizmi dhe të përdorë aparatin për ta fiksuar momentin. E sikur kjo të mos ishte boll, ndonjëherë fotot ngjallin kritika. Fotografi ama nuk është një përbindësh, por fotografia kur ngjall reagim është duke u kthyer kështu në një narrativë të pastër, të bazuar në atë që imazhi na thotë ne. Fotoja duhet gjykuar nga aftësia për të të shpënë në vendngjarje, jo vetëm nga ana pamore, por sidomos emocionalisht. E sa për humbjen pesëfishe të nënës turke, nëse e shikoni foton me kujdes arrin t’ia dëgjosh kujën. Fotografitë mund të kenë qëllim reklamën, portretin, fotografinë gazetareske dhe kështu me rradhë dhe ajo që thonë fotografitë flet dhe për fotoreporterin apo fotografin që i ka shkrepur dhe pashmnangshmërisht edhe revistën, gazetën apo faqen web që i boton imazhet.
Fotoreporteri pra nuk eshte me një fotograf i zakonshem por nje individ me rol aktiv ne formimin e pershtypjeve dhe opinionit publik. Si gazetar, fotoreporteri dhe kameramani luajne role po aq te rendesishme sa
ata gazetare lajmin e raportojne me tekst, ne mos me shume. Kur vjen puna tek fotografia gazetareske, kemi një përpjekje për të paqyruar realitetini Një foto e mirë na tregon jo vetëm momentin e shkrepjes por na jep dhe detajet për të kuptuar se si gjërat erdhën deri në këtë moment. Ç’po ndodh përreth. Fotot e shkëlqyera arrijnë të na tregojnë edhe ç’do të ndodhë në vazhdim.
Ngjarja është e vërtetë në çdo rast por pasqyrimi i saj në foto apo film nuk është i rastësishëm por i menduar, dhe i vëzhguar nga një sy i stërvitur. Ne e shohim ngjarjen jo vetëm nëpërmjet syrit të fotografit por edhe nëpërmjet botëkuptimit të tij. Kjo nuk e bën fotografinë më pak të vlefshme, apo të manipuluar - përkundrazi, e bën të arritur, sepse qëllimi i fotografisë gazetareske është të tregojë një narrativë, jo thjesht të ilustrojë një të tillë. Pyetjet që një lexues i kujdeshëm i fotove të lajmit i bën vetes automatikisht ë kur përballet me një imazh janë këto Çfarë/kë shoh? Ç’po ndodh? Cili është konteksti? Si është kompozuar? Cilët janë detajet e rëndësishëm?

***
Imazhet e luftës
Në botën moderne roli i fotografisë dhe videos (si fotografi në lëvizje) së lajmit merr një rëndësi të veçantë pasi për herë parë është e mundur që nga rehati i dhomave tona të ndenjes të përballemi me imazhe shkatërrimi, lufte dhe dhune. Këto imazhe nga njëra anë nga bëjnë të ndjeshëm ndaj çështjeve por ndonjëherë na imunizojnë ndaj dhimbjes së tjetrit. Përdorimi efektiv i imazheve për të përcjellë nivelin e dhimbjes, të gëzimit apo të tmerrit është në këtë mënyrë një detyrë kritike e editorëve të lajmeve. Shpesh përballemi me kundërshtime kur fotografia përmban dhimbje apo kur subjekti është duke vuajtur, a thua se kjo vuajtje nuk ishte pikërisht arsyeja që i jep rëndësi fotografisë. Vërtetë, fotografia rrëfen një tregim të vuajtshëm, dhe duke bërë këtë bëhet më e madhe se subjekti dhe rrethanat, bëhet një imazh që flet. Është pikërisht atëherë kur fotografi është i ndjeshëm ndaj asaj që po ndodh që fotografia arrin të përmbledhë kontekstin brenda kornizës dhe bëhet kështu dëshmitare e asaj që ndodh. Akuza për shfrytëzim të dhimbjes së tjetrit është një keqkuptim i rëndomtë në fotografinë e lajmit.
Sa për mendimin tim një tmerr mund të përshkruhet vetëm me imazhe të tmerrshme. Çdo tentativë për të gjetur “anën tjetër”, apo për të përdorur “shije të mirë” në rrethana katastrofe duke përdorur imazhe të vakët e gjej pa sens dhe jo fort të ndershme.
Sikur fotografët që dokumentuan masakrën e Raçakut të mos kishin marrë vendimin e vështirë për të fotografuar kufomat. Sikur të mos ishte dokumentuar në këtë mënyrë eksodi i refugjatëve dhe sikur editorët e lajmeve në botë të mos kishin patur midenë për të botuar këto fotografi të tmerrshme të vuajtjeve në Kosovë, atëherë ndërhyrja e NATO-s ndoshta nuk do të kishte ndodhur, ose do të kishte ndodhur kur për Kosovën të kishte qënë shumë vonë. Në këtë këndvështrim roli i fotografisë së lajmit është edukues. Ishin pikërisht imazhet e dhimbjes së madhe që bënë që bota të kushtonte vëmendje dhe të reagonte. Disa madje spekullojnë se një faktor me infulencë ishte dhe ngjashmëria e refugjatëve kosovarë në trena me trenat e vdekjes së Nazistëve gjatë L2B.
Sa për punën e editorëve kjo mbetet gjithmonë një temë rrëshkitëse, sepse siç e thashë që në krye, fotografia flet jo vetëm për atë që ndodh por dashje pa dashje edhe për perspektivën e fotografit apo editorit. Kjo është e pashmangshme, ndaj mbetet vetëm që fotografi apo editori t’u dalin për zot vendimeve të tyre dhe të respektojnë etikën profesionale. Ndonjëherë ama zelli për të shprehur perspektivën e redaksisë i kalon limitet e asaj që publiku pranon. Rasti i kopertinës së revistës TIME ësht një shembull i mirë i kësaj.

Në qershor 1994 revista TIME ia kushtoi kopertinën gjyqit të famshëm të OJ Simpsonit, një sportist me famë të madhe që akuzohej se kishte therur gruan dhe të dashurin e saj. Fakti që OJ është zezak ndërsa gruaja ishte e bardhë i jepte një kontekst racial këtij gjyqi, duke e kthyer në një stuhi mediatike që zgjati për dy vjet. Edhe pse në fund ai u shpall i pafaj faktet dukej se flisnin ndryshe, ndaj dhe redaksia e TIME parakohe e kishte gjykuar Simpsoni-n fajtor, ndaj e errësuan foton e tij duke e bërë të duket më i lig, ndoshta më fajtor? TIME qartazi po luante me traditën e fortë të kulturës perendimore që shoqëron të zezën, errësirën me të keqen. Ajo që nuk kishin parashikuar ishte se të njëjtën javë edhe revista Newsweek (që me tirazh ishte shumë më poshte se TIME) kishte përdorur të njëjtën fotografi, por të pa retushuar, duke e bërë errësimin e TIME Magazine akoma më të dukshëm. Kur kuptuan çkishte ndodhur TIME e tërhoqi revistën nga tregu dhe doli me një version tjetër.
Çfarë e bën një foto të arritur? Kjo mbetet e vështirë për tu përkufizuar. Shijet, opinionet dhe ndjenjat e bëjnë çështjen subjektive. Por në fund , secili e di se cilat foto i thonë diçka. Pikërisht ato janë më të mirat.
Blendi Salaj
peshkupauje.com




31 Maj 2008 at 11:57 am
Per vajzen afgane ( me sy jeshil),kam pare nje dokumentar vite me pare.Vertet interesant kthimi i gazetarit amerikan dhe perpjekja e Tij per ta gjetur ate vajze…
Urime Blendi!