Ora e Arbrit dhe “profetët” e zymtë
Personalisht nuk kam qënë kurrë tepër i fiksuar pas mitit të Arbrit, në përfytyrimet fëmijnore të lashtësisë së kombit preferoja Ilirët. Arbrit më dukeshin si “underachievers”, që nuk e mbështetën krenarinë me veprat. Me gjithë shkëlqimin vetëtitës të Gjergj Kastriotit, të izoluar në 25 vjet, periudha e arbërit më dukej e vakët, dhe Arbëria e përçarë dhe e dobët, e pazonja t’u qëndronte osmanëve. Por po e quaj 17 Shkurtin “Ora e Arbrit” sepse po dua të shfaqem Tribal, e në qoftë kjo ndjenjë shenjë e pagdhendësisë, ashtu qoftë. Por them se të ngatërrosh civilizimin me sofizmat apo krenarinë kombëtare me tribalitetin janë njësoj gabim.
Po e quaj “Ora e Arbrit” sepse jam treguar i padrejtë me ta kur i kam vlerësuar aq dobët, sepse megjithë humbjen e lavdisë së dikurshme arbërit lanë pas diçka të mirë: shqiptarët, e një Zot e di sa krenarë jam për këta të fundit. Sidomos për Kosovën jam krenar sot, që më në fund u shfaq në hartat e botës e na mallëngjeu sikur mallëngjehet ai që papritur dallon në një turmë fytyrën e motrës që e dinte të humbur.
Zotërinjtë e shtypit metropolitan, buzë Lanës
100 vjet robëri zotërinj, 100 vjet ndarje ka vuajtur ky popull. Qindra mijra te vrarë, të interrnuar, të zhdukur, përdhunuar, sakatosur, degëdisur. Me sytë nga Shqipnia Amë dhe me buzën e plasur nga ultranacionalizmi më djallëzor që mbahet mend, ky popull ka të drejtë sot të gëzojë, të kërcejë dhe të dehet po të dojë. Zotërinj, si ju bëjnë gishtat të shkruani kështu? Shqetësimi juaj i molepsur me dëshirën për të qënë kontravercial shprehet më kollaj me një fjalë të vetme: Kontrapedal. Vallë vërtetë ju duken tribalë dasmorët e Prishtinës? Gëzojnë tepër primitivisht? Mos harroni që ishin po këta që ishin të parët që vuajtën atë që sot quhet “Pastrim Etnik”, a harruat zotërinj se kjo shprehje u formulua pikërisht më 1998 për të shprehur atë që po ndodhte në Kosovë. S’mbahej mend kur kishte ndodhur diçka e tillë më parë, madje as fjalë për ta përshkruar nuk kishte, Kosovarët vuajtën “Ethnic Cleansing”.
Këta që festojnë sot, që valëvisin flamujt e kuq të tribusë së Kastriotit ishin ata që nën thikat e përgjakura të Millosheviçit i morrën fëmijët në krahë dhe pleqtë në kurriz dhe kaptuan male për të shpëtuar jetën. Serbët ua grisnin Letërnjoftimet në kufi, dhe i përzunë nga votrat e tyre. As tribu nuk ishin më kur zbrisnin malet zbathur. Por qëlloi që gjysma tjetër e tribusë, megjithëse vuante orën e vet më të vështirë pas katastrofës së 1997, iu gjegj thirrjes, dhe at çapë bukë e ndau më dysh, e nën ato çati ku ishin katër u bënë tetë. Imagjino të mos ishim kaq tribalë, ndoshta do i kishim lënë shqiptarët e kosovës përjashtë, do ua vinim kufirin te thana, se ishim keq për vete. Apo jo?
Le t’i ulim ushtat e Don Kishotit, e tu japim ujë kuajve imagjinarë, relaksohuni. Mos u shqetësoni për ngjyrat e flamurit të shtetit të ri e aq më pak mos guxoni të zbehni lavdinë e këtij momenti historik me ogure të liga. Në disa nga shkrimet që u shfaqën në shtyp nga analistët e metropolit që përshkuhet nga Lana vihej re hëm mosbesimi i thekshëm ndaj kapacitetit të shqiptarëve të Kosovës për të ndërtuar një shtet model dhe një demokraci solide, hëm tendenca për ta zvogëluar rëndësinë e kësaj që u arrit më 17 shkurt, duke e vlerësuar të pavërtetë Pavarsinë e Kosovës.
Mustafa Nano:
”…Kosova nuk do të jetë de facto e pavarur), është megjithatë një shprehje e vullnetit europian për të mos lënë të tjerët (nënkupto: Rusinë) të futin hundët në punët e kontinentit të vjetër…Shqiptarët e Kosovës, ashtu si shqiptarët e Shqipërisë, madje më shumë se këta të fundit, janë të pastërvitur për të ndërtuar demokracinë e për të jetuar në demokraci. Shqiptarët e Kosovës dallohen qartazi për një mentalitet e qasje tribale në jetën e përditshme komunitare.”
Fatos Lubonja:
”…nëse do të gjykojmë nga festimi i djeshëm, shqiptarët e Kosovës, nëse do të ishin vërtet të lirë, nuk do të pranonin flamurin me gjashtë yje, por, sëbashku me shpalljen e pavarësisë, do të shpalosnin në Parlament flamurin kuq e zi. E kontradikta që buron nga ky kontrast besoj se do të shenojë kapitujt e ardhshëm të historisë së Kosovës dhe jo vetëm…rasti kosovar mund të kthehet në një bumerang për vetë projektin evropian, pasi mund t’i hapë rrugën një reaksioni zinxhir lëvizjesh nacionaliste e separatiste, ai është kundërshtuar jo pak në Evropë ose është trajtuar si një rast i veçantë.”
Uroj të jeni shumë, shumë gabim në këtë fjalinë e pjerrët Z. Lubonja. Së shumti jam i lodhur me këtë opinionin e bastarduar që Liria dhe Pavarësia e Kosovës ishin një Dhuratë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO. E them këtë sepse është rrënja e mendimeve të cituara më lart. Një Liri e falur, është më pak e vërtetë, gjoja e imponuar, në mënyrë Freudiane, e pamerituar.
Jam shumë mirënjohës për ndihmën vendimtare që dhanë ShBA dhe vende të tjera për çlirimin e Kosovës, por për asnjë moment nuk kam gënjyer veten se kjo festë do të ishte e mundur pa përpjekjet “against all odds” të UÇK-së, pa vetëflijimin, kurajon, gjakun, lotët, atdhedashurinë dhe Tribalizmin drithërues të shqiptarëve të Kosovës. Sepse zotërinj po të mos ishte për Dashurinë për Kosovën e Shqiptarinë që nënat kosovare i mëkuan çdo foshnje në djep, nuk do kishte asnjë lloj ndërhyrje ndërkombëtare në Kosovë. Liria nuk është asesi dhuratë, por burim legjitim krenarie kombëtare, po të mos ishte për shqiptarët e Kosovës, të jemi të sigurtë se vargonjtë do ishin ende të rëndë e të ftohtë sonte.
Shikojeni sot Luftëtarin e lirisë Hashim Thaçin dhe krenohuni me të zotërinj. Shiheni tribalistin dhe krenohuni me atë që mishëron këtë udhëtim të Kosovës për të cilin ky brez ka të drejtë të buzëqeshë deri në shtratin e vdekjes. Qëndron dy metra si Muji dhe shpall Kosovën Shtet të Pavarur, më në fund të vargonjtë u thyen. Shikojeni se pa këta kokëkrisur e pa bindjen e tyre të çartur, kjo ditë nuk do kishte ardhur kurrë. Nëse jeni skeptikë sot, nuk dua të imagjinoj sa skeptikë ishit kur UÇK ngarkonte mushkat me kallashët. Tash po e lëshojmë frymen si këngë, 100 vjet e kemi mbajtur. Po, po si Muji, se mu më pëlqejnë Përrallat e moçme shqiptare, edhe përralla qofshin gjej në to më shumë substancë se në gjithë çdo shkrujnë analistat e Tiranës. Lëreni ore këtë popull të qeshë se ka 100 vjet me fytyrë në hi! E të mos frigohet kush se do ketë raprezalje ndaj serbëve në Kosovë. Kush pati një gëzim të madh dhe i vajti ndërmend të vrasë?
Silleni brenda, jepini more ujë të lahet, shtrojini sofrën, thërrisni miqtë e të dashurit se kemi festë, thereni dashin më të majmë se u rigjet motërza e humbur.
Juve ju ka mbetur të kritikoni flamurin, që të gjithë e dimë se është thjesht formal? A ju ka rastisur të hyni në ndonjë odë kosovare? E mbajnë në mur flamurin kuqezi, ashtu siç në Tiranë do konsiderohej jashtë mode. Mos u tutni burra! Edhe në fushën e dizenjimit të flamujve ju jeni autoriteti ekspert? Ku e gjejnë mbështetjen ca njerëz të bëjnë sikur e duan Kosovën më shumë apo më mirë se Hashim Thaçi apo Fatmir Sejdiu? Cilët janë argumentat e kritikëve të Pavarsisë në këtë formë që erdhi? Pse qënka boll e mirë ta zëmë për Ramush Haradinajn, por s’ia mbush mendjen Nanos e Lubonjës?
Ora e Arbrit
A nuk ju duket pavend dhe pa argument teza e hedhur se Kosova do ta ketë të vështirë e thuajse të pamundur të formojë shtetin e vet demokratik? A nuk i ka dhënë provat disafish shoqëria kosovare që është një shoqëri e shëndetshme, që kërkon harmoni? Unë them po dhe po. Mjaft të kujtojmë si pas mbylljes me dhunë fizike por më tepër psikologjike të Universitetit të Prishtinës, arsimimi shqip vazhdoi, e odat u bënë klasa për studentët. Dija zotërinj është rrënja e Demokracisë, mos ia kini gajle Kosovës. Ajo po di me na trainu ne të Shqipërisë në leksione Demokracie. Mendoni se në Kosovën e Pavarur do kishin shanc për karrierë politike disa syresh që kanë bërë me kontrabandë nafte me Serbinë në kohë lufte, apo ata që ndoshta kanë pirë ndonjë xhin me Sllobodanin? Vështirë të ndodhë. Që nga nisja e rezistencës dhe kapitullimi i Millosheviçit, e gjatë 9 vjetëve shembullorë të arritjes së standarteve, 9 vjetët e bashkëpunimit të ngushtë dhe të fryshëm me ndërkombëtarët, ngritjes së shtetit nga rrënojat dhe hiri i luftës, besa e patjetërsueshme me amerikanët, tjetërsimi i tyre nga luftëtarë në udhëheqsa me popullin në mendje, e boll sende të tjera flasin se Lidershipi kosovar nuk është patetik si lidershipi i buzëlanës atje në Tiranën tash disi më provinciale. Udhëheqja kosovare është pragmatike, e kthjellët, patriote dhe energjike e tillë që kontraston fort me Mumjet tona politike që na udhëheqin qorrsokaqeve.
Nëse ka ndonjë mësim për tu marrë këtu, ne të Shqipnisë duhet të mbajmë shënim, së paku të nxëmë që ka ardhur Ora e Arbrit, më në fund. Faktori shqiptar u zgjerua, dhe bashkë me këtë lipset edhe një riballancim i dinamikave ndërshqiptare në Ballkan. Liria që rrezaton nga Kosova duhet të pasqyrohet në Shqipëri. Nuk kemi pse tu shesim mend shqiptarëve të Kosovës, çdo tu mësojmë, ç’shembull do u japim? Nihilzmin tonë patetik se do njeri. Jemi ne ata që shpresoj do shkunden mirë nga Pavarsia e Kosovës, që ta hedhim dhe ne zgjedhën tonë. Shqiptarët e Republikës së Shqipërisë duhet ti përgjigjen Pavarsisë së Kosovës duke bërë edhe ata një hap të rëndësishëm historik, t’i japin fund tranzicionit-kangrenë, që të mund të ngrejmë dhe ne të Shqipërisë kokën ca më lart e, mes vëllezrish të shihemi në sy.
Tani ka ardhur koha për të flakur psikologjitë e vjetra të nënvleftësimit të vetes, ka ardhur koha të çlirohemi nga komplekset që kemi se mos dukemi Tribalë. Ama shikoni ç’tribu e bukur jemi. Ca festuan me hundët të skuqura nga të ftothtët në Toronto, ca e skuqën Times Square në NY. E kush zemër shqiptare nuk u çua peshë, e cili sy nuk qau nga gëzimi? Urojini festën Kosovës, qeshni ca dreqi ta hajë. Se vetëm duke rënë rehat në lëkurën tonë, duke qënë të lirë, të bashkuar dhe me humor të mirë do ta bëjme Shqipërinë. Kini pakëz më shumë Besim tek shqiptarët zotërinj, dhe fare pakëz më shumë Respekt.
Blendi Salaj
peshkupauje.com



